Droga nxirret nga pjesa mbitokësore e tharë e bishtamithit (emra të tjerë janë: njëmijëgjethësi, barnozella, bar pezmi) , i cili është bimë e zakonshme në livadhe dhe zona malore. Lulëzon maj-korrik.
Droga përdoret si spazmolitik, veçanërisht për të mitrën, ngërçet (dhembjet, spazmat) e stomakut (me origjinë nervore) të grave, në mjekimin e majasëllit, si rregullues dhe lehtësues i menstruacioneve, kundra heqjes së barkut, si antiinflamator në acarimet e fytit, gojës, në djegje etj; në ndërprerjen e rrjedhjes së gjakut, si psh., në menstruacione të mëdha, në hemorragjinë e mushkërive, të veshkave, si dhe për mjekimin e anemive sekondare të ndryshme; kundër kollës. Përdorimi për një kohë të gjatë i drogës jep pështjellim, turbullim dhe dhembje koke.
Një lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë, ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet i paëmbëlsuar, gjysëm ore para buke; merren dy doza të tilla në ditë. Për përdorim të jashtëm, në formë banjash për mjekimin e plagëve të qelbëzuara, të sëmundjeve të lëkurës, mishrave të dhëmbëve etj., përdoret çaji që përgatitet si më sipër, por duke përdorur 2 lugë gjelle me drogë për një gjysëm gote ujë. Për mjekimin e ulçerave varikoze, të majasëllit, morthit etj., përdoret lëngu i shtrydhur i bimës së freskët.
Bishtamithi është përdorur në Europë dhe në prodhimin e birrës, në vend të sumullbarit. Birra e bishtamithit mendohej se kishte veti afrodiziake.